Deficit tregtar i Kosovës rritet në 405 milion euro
Prishtinë, 22 prill - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2022.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 26.4% në muajin mars 2022, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 405.3 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 320.7 milion Euro në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 17.9%.
Eksporti i mallrave në muajin mars 2022 kishte vlerën 88.6 milion Euro, ndërsa importi 493.9 milion Euro, që është një rritje prej 43.3% për eksport dhe 29.1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 28.0% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 23.7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.8% e përbëjnë produktet minerale, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.0% e përbëjnë produktet minerale; 12.0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.4% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.8% e përbëjnë mjetet e transportit, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 25.2 milion Euro, ose rreth 28.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 27.2%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (7.2%), Itali (5.5), Austria (3.5%), etj.
Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 205.4 milion Euro, ose 41.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.1%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.6%), Greqia (4.8%), Italia (4.5%), etj.
Në muajin mars 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 34.1 milion Euro ose 38.6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.5%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (14.1%), Shqipëria (11.0%), Serbia (7.7), Mali i Zi (4.5%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin mars 2022 arritën në 93.2 milion Euro, ose 18.9% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.5%), Shqipëria (5.8%), Maqedonia e Veriut (5.3%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 29.1 milion Euro ose 32.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (19.3%), dhe Zvicra (6.7%).
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 195.2 milion Euro, ose 39.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.8%) dhe Kina (10.5%).