22 Mars 2023

Deficit tregtar i Kosovës më i lartë për 6.4 për qind, arrin në 291 milion euro

Prishtinë, 24 shkurt - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin janar 2023.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6.4% në muajin janar 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 291.5 milion Eurosh, krahasuar me deficitin prej 273.8 milion Eurosh në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me 17.6%.

Eksporti i mallrave në muajin janar 2023 kishte vlerën 62.1 milion Euro, ndërsa importi kishte vlerën 353.7 milion Euro, që është një rënie prej (-3.2%) për eksport, si dhe një rritje prej 4.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
 
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 25.6%e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 13.6% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 10.4% e përbëjnë produktet minerale; 8.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.8% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tekstili; 4.4% e përbëjnë produktet bimore, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.2% e përbëjnë produktet minerale; 11.7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.8% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.7% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.0% e përbëjnë tekstili dhe artikujt e tekstilit; 5.6% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.
    
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 19.7 milion Euro, ose rreth 31.8% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-24.1%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11.6%), Italia (4.6%), Holanda (3.7%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 149.3 milion Euro, ose 42.2% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-9.9%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.2%), Italia (4.6%), Greqia (4.6%), etj.
Në muajin janar 2023, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 25.9 milion Euro, ose 41.8%  të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 65.9%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Maqedonia e Veriut (19.2%), Shqipëria (10.2%), Mali i Zi (6.1%), dhe Serbia (5.1%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin janar 2023, arritën në 54.4 milion Euro, ose 15.4% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (5.1%), Shqipëria (4.6%), dhe Maqedonia e Veriut (4.4%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 16.4 milion Euro, ose 26.4%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (9.5%), dhe SHBA (8.1%).
 
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 149.9 milion Euro, ose 42.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14.2%) dhe Kina (10.5%).

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)