22 Mars 2023

Çmimi i naftës bie mbi 5 për qind

New York, 10 mars - Nafta Brent shënoi rënie mbi 5 për qind në fund të javës që përfundon më 10 mars, me shqetësime të vazhdueshme për kërkesën e dobët në Kinë dhe rritjen e normave të interesit të Rezervës Federale të SHBA-së (FED).

Nafta e papërpunuar ndërkombëtare Brent u tregtua me 81,01 dollarë për fuçi sot, duke shënuar një rënie prej 5.6 për qind nga seanca e së hënës që u hap me 85,83 dollarë për fuçi.

Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) u tregtuan me 75,06 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë, duke u ulur me 6,1 për qind në krahasim me çmimin e hapjes prej 79,92 dollarë për fuçi të hënën.

Çmimet e nisën javën me një notë negative për shkak të kërkesës së dobët pasi Kina njoftoi një objektiv modest të rritjes.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë raportoi një objektiv zyrtar të rritjes ekonomike prej rreth 5 për qind për vitin 2023 të dielën.

Çmimet u rritën pak të martën dhe të mërkurën për shkak të dobësimit të dollarit amerikan dhe me të dhënat e SHBA-së që treguan rigjallërimin e kërkesës në vend.

Instituti Amerikan i Naftës (API) njoftoi të martën vonë vlerësimin e tij për një rënie prej gati 3.8 milionë fuçi në inventarët e naftës së papërpunuar në SHBA, në krahasim me pritjet e tregut për një rritje prej 308 mijë fuçi.

Të mërkurën vonë, Administrata e Informacionit të Energjisë (EIA) njoftoi se inventarët ranë me 1.7 milionë fuçi në 478.5 milionë fuçi.

Rënia e stoqeve të naftës sinjalizoi rritje të kërkesës në SHBA, vendi më i madh konsumues i naftës në botë, por nuk ishte e mjaftueshme për të rritur çmimet e naftës.

Ndërkohë, shqetësimet e vazhdueshme rreth rritjes së normave të interesit të FED gjatë gjithë javës gjithashtu ushtronin presion mbi çmimet. Ekspertët shqetësohen se rritja e mëtejshme e normave të interesit do të shkaktonte ngadalësim të rritjes ekonomike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)