Chanel, më i shituri i parfumeve me një histori 90-vjeçare
Paris, 4 dhjetor - Bashkëpunimi mes parfumit Chanel dhe qytetit Gras në Francën juglindore vazhdon që prej 90 vjetësh. Ai e ka zanafillën me daljen në treg të parfumit Chanel No 5 nga Koko Shanel në vitin 1921.
Në atë kohë, ky ishte parfumi i parë që shfrytëzonte molekulat sintetike të marra nga produkte natyrore si trëndafili dhe jasemini, dy ndër elementët më të kushtueshëm të aromave.
Në atë kohë, Gras ishte vendi i vetëm në Francë ku mund të gjendeshin ato. Ky fakt ka bërë që miqësia e qytetit me firmën Shanel ti rezistojë kohës.
Në Gras të Francës jugore, familja Myl, pronare e këtyre plantacioneve prej 20 vitesh punon vetëm për firmën Chanel, duke prodhuar lule për parfumet e kompanisë, sidomos për Chanel No 5.
Chanel No 5 u krijua në vitin 1921 për Coco Chanel nga specialisti Ernest Bo. Ky ishte i pari kompozim aromash i përbërë nga një përzjerje lulesh dhe kimikatesh.
Sot, ky është një nga parfumet më të famshëm në histori dhe ndër më të shiturit.
Sipas kompanisë, në botë shitet çdo 55 sekonda një shishe Chanel No 5.
Zhozef Myl thotë se trandafilët janë përbërësit kryesorë të parfumit Chanel No 5 dhe kanë qenë përdorur që kur u shpik parfumi.
"Chanel kurrë nuk deshi të ndryshonte varietetin e trandafilit, sepse një trandafil i ndryshëm do të kishte nuanca të ndryshme aromatike gjë që do të ndryshonte edhe nuancën e parfumit të tyre, thotë zoti Myl.
Familja Myl është ndër prodhuesit më të mëdhenj të trëndafilave në rajonin Gras. Ata kultivojnë edhe llojin e jasminit që përdoret në Chanel No 5.Pasi mblidhen, trëndafilat dërgohen në një uzinë ekstraktimi pranë plantacionit të familjes Myl. Pastaj bëhet distilimi dhe nxirret esenca që përdoret për formulimin e parfumit Chanel No 5.
"Për të nxjerrë një kilogram esencë duhen 400 kilogram trëndafila, pra për një kuti të tillë të vogël duhen më shumë se 3 ton trëndafila, thotë shefi i uzinës, Zhan Fransua Vjëj.
Por prodhimi i parfumit legjendar varet kryesisht nga ekspertët, ose mjeshtrit e nuhatjes. Kryeeksperti i firmës Chanel, Zhak Polzh, punon për këtë kompani që prej 30 vjetësh.
Ai jo vetëm që ka krijuar disa nga parfumet më të shitura të firmës Chanel, si Coco, Coco Mademoiselle, Chance dhe Allure, por është edhe kuratori i parfumit më të vjetër, No 5.
"No 5, është në një farë mënyre parfumi i parë që shfrytëzon shumë lule, pa u përqendruar në një aromë të vetme, thotë Polzh. Qëllimi ynë është të krijojmë një produkt që mbetet. Nuk duam një modë që del jashtë mode.
Deri tani, Chanel No 5 i ka qëndruar provës së kohës. Dhe gjatë viteve është bërë më i shituri në botën e parfumeve.