ASK publikon “Statistikat e Hotelerisë në Kosovë”
Prishtinë, 3 shtator - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Hotelerisë në Kosovë” për tremujorin e dytë (TM2) 2020.
Në TM2 2020 pjesë e anketës ishin 199 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës.
Për shkak të pandemisë, me vendim të Qeverisë së Kosovës, hotelet kanë qenë të mbyllura gjatë muajve prill dhe maj 2020. Andaj, të dhënat e publikuara në këtë tremujor paraqesin rezultatet vetëm të muajit qershor 2020, pasi hotelet kanë filluar të punojnë nga data 01 qershor 2020.
Në TM2 2020, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 6 831, prej tyre 47.96% janë vendorë dhe 52.07% janë të huaj. Ndërsa, numri i net-qëndrimeve ishte 10 466, prej tyre 48.45% nga vendorët dhe 51.55% nga të huajt.
Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka Rajoni i Prishtinës, me 2 439 vizitorë dhe 3 626 net-qëndrime.
Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh është nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, etj.
Këtij publikimi i është bashkangjitur edhe një shtojcë e veçantë, që përmban të dhëna nga Policia e Kosovës, lidhur me numrin i vizitorëve të huaj sipas pikëkalimeve kufitare gjatë vitit 2017 - 2019.
Për më shumë informata lidhur me Statistikat e Hotelerisë, vizitoni:http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/ekonomi/hotelet-dhe-turizmi