22 Mars 2023

6 kompani të mëdha amerikane të interesuara të investojnë në Kosovë

Prishtinë, 3 mars - Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka pritur në takim përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan, të Korporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), të Bankës Amerikane për Eksport-Import, të Shoqatës së Biznesit Amerikë - Evropë Qendrore, si dhe përfaqësues të gjashtë kompanive të mëdha amerikane të sektorit të energjisë.

Gjatë takimit, Përfaqësuesja Speciale për Partneritete Botërore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Dorothy McAuliffe është shprehur se siguria e energjisë si dhe siguria kombëtare në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë, do të thotë siguri e energjisë dhe siguri kombëtare edhe për Shtetet e Bashkuara.

Ajo ka shtuar që ky partneritet tash është më i rëndësishëm se kurrë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministrja Rizvanolli u ka prezantuar të pranishmëve projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë në Kosovë, dhe i ka siguruar të ftuarit që Kosova është e gatshme të luajë rol udhëheqës në rajon drejt sigurisë dhe tranzicionit energjetik.

Kjo për të mundësuar diversifikimin dhe pavarësimin e sektorit në rajon nga burimet fosile të Rusisë, si dhe për të shtruar rrugën drejt energjisë së pastër.

Kompanitë amerikane, përfshirë Honeywell, GE Power, Siemens Energy, Advent Technologies, Emerson Automation Solutions, si dhe Wethington International kanë shprehur interesin e tyre për të investuar në Kosovë dhe për të kontribuar në planet e Kosovës për zhvillim të sektorit të energjisë.

Përfaqësuesit e kompanive kanë prezantuar punën e tyre dhe teknologjitë të cilat ofrojnë, të cilat janë në linjë me Strategjinë e Energjisë, si dhe projektet kryesore të Qeverisë për këtë sektor.

Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë, të USAID-it, si dhe të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit. ​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)