04 Qershor 2023

PDK-ja krijon fond për mbrojtjen e Limajt

Prishtinë, 28 maj - Partia Demokratike e Kosovës ka krijuar fond të posaçëm për mbrojtjen e nënkryetarit Fatmir Limaj, shkruan në botimin e sotshëm “Koha Ditore”. 

Zyrtarë të lartë të kësaj partie kanë konfirmuar se vendimi për krijimin e fondit është marrë para dy javësh në një mbledhje të mbyllur të Kryesisë së PDK-së.

Nait Hasani, njëri nga anëtarët e këtij organi drejtues të partisë, ka deklaruar të enjten se fondi tashmë është publik dhe se xhirollogaria e tij është hapur në Bankën e Re të Kosovës. “Mjetet e këtij fondi do të shfrytëzohen për të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ministrit Fatmir Limaj.

Fondi mbështetet në vullnetin e mirë të simpatizantëve, aktivistëve të partisë, por edhe të qytetarëve që e shohin të arsyeshme kontributin për këtë fond”, ka thënë Hasani në një bisedë telefonike.

Qëndrimi i Kryesisë së PDK-së, sipas tij, është që të mos caktohet shuma se sa duhet të kontribuohet në fond, por kjo të mbetet në vullnetin dhe mundësitë e secilit kontribuues.

Ndërkohë ministri i Transportit, Fatmir Limaj, i dyshuar për krim të organizuar së bashku me shefin e prokurorimit në këtë ministri, Nexhat Krasniqi, ka angazhuar një ekip të fuqishëm avokatësh ndërkombëtarë për t’u mbrojtur nga akuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Gazeta amerikane “Greenwich Time” ka shkruar të enjten në portalin e saj se Limaj ka angazhuar tre avokatë nga Stamfordi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si pjesë e ekipit ligjor për mbrojtjen nga akuzat për korrupsion.

Limaj si mbrojtës ka zgjedhur që ta angazhojë edhe avokatin anglez me prejardhje nga Pakistani, Karim Khan, i cili e ka mbrojtur edhe në Tribunalin e Hagës për krime lufte, ku u shpall i pafajshëm.

Kryetari i OAK-së, Musa Dragusha, ka thënë se asnjëri prej këtyre emrave nuk ka aplikuar për licencë.

“Asnjë nga këta emra nuk ka kërkuar licencë. Natyrisht që nëse aplikojnë do t’u nënshtrohen testeve  vendëse”, ka thënë Dragusha.

Testi, sipas tij, ka të bëjë me  njohuritë e ligjeve në Kosovë dhe me ato të etikës.

Zëdhënësja e EULEX-it, Kristiina Herodes, ka deklaruar se hetimet po vazhdojnë, derisa ato i ka vlerësuar si shumë komplekse.

”Ky është një hetim kompleks dhe do të jenë të pasakta të paragjykohen rezultatet nëse do të ketë ndonjë arrestim apo jo. E njëjta gjë vlen edhe për afatin kohor kur hetimet do të përfundojnë dhe të përgatitet një aktakuzë”, ka thënë zëdhënësja Herodes

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 qershor 2023 - Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë te veçantë në të cilën do të debatohet për situatën në veri të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Qendra për karrierë dhe alumni e Universitetit të Prizrenit organizon Panairin e Punës dhe Karrierës. (Galeria Shopping Mall, ora 10:00)

 - Organizohet përurimi i bustit të heroit Adem Ukëhaxhaj. (Fshati Carrabreg, pranë Ambulantes  ora 10:30)

- Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut në bashkëpunim me Komunën e Hanit të Elezit dhe Bashkësinë Islame të Hanit të Elezit, organizojnë aktivitetin e dhurimit të gjakut. (Qendra e Kulturës "Imri Curri" në Han të Elezit, ora 11:00)

- Organizata Plus Kult organizon promovimin e krijimtarisë letrare të poetit Ahmet Pllana, në shenjë të 50 Vjetorit të krijimtarisë. (Salla e Plus Kult në Shtëpinë e Kulturës në Fushë Kosovë, ora 11:00)

- Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në sallën e Asamblesë Komunale organizohet Akademi Përkujtimore kushtuar atdhetarit, Adem Ukëhaxhaj. (Asamblea Komunale e Pejës, ora 14:00)

- Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizon promovimin e antologjisë poetike "Girl of Monday",  e cila vjen në tri gjuhë: shqip, holandisht dhe anglisht. (Objekti i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ora 18:00)