Nga sot nis zbatimi për konvertimin e targave të makinave ilegale
Prishtinë, 1 nëntor - Nga sot Institucionet e Republikës së Kosovës do të zbatojnë vendimin e qeverisë për konvertimin e targave të makinave ilegale të lëshuara nga Serbia.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim me të cilin ka vendosur që procesi i regjistrimit të këtyre mjeteve në targa RKS të bëhet i shkallëzuar në faza, deri në përmbylljen e këtij procesi legal dhe legjitim me datë 21 prill 2023.
Me vendimin e ri, nga data sot të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.
Nga data 21 Nëntor deri me datë 21 Janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” “DA” apo “ĐA”, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro.
Sipas kësaj ministrie nga data 21 Janar 2023, pronarët e mjeteve me targa ilegale për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara.
Nga data 31 mars deri me datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë.
Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa ilegale brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Vendimi i qeverisë së Kosovës për të modifikuar afatin që pritej të fillonte nga sot, ndonëse u pa si lëshim ndaj kërkesave perëndimore për një zgjatje dhjetë muajshe të afatit nxiti shumë reagime.