Bordi i RTK-së miratoi skemën programore për vitin 2022
Prishtinë, 16 prill - Në mbledhjen e datës 16 prill 2022, Bordi i Radio Televizionit të Kosovës me shtatë vota për dhe asnjë kundër ka miratuar skemën programore të RTK-së për katër kanalet e saj televizive dhe dy të radios.
Përgjegjësit e programit të RTK-së kanë punuar intensivisht në hartimin e skemës programore për vitin 2022 dhe si e tillë ajo do t’i plotësojë pritshmëritë e publikut në Kosovë.
Kështu programi i RTK-së krahas programeve standarde është pasuruar edhe me emisione të reja për çdo familje kosovare dhe të dedikuara për grupe të ndryshme shoqërore si: fëmijët dhe të rinjtë, dashamirët e kulturës në zhanret e saj të veçanta, art, film dhe libër dhe të tjera. Fokus i shtuar pa dyshim i është dhënë sektorit te ekonomisë, arsimit, politikës dhe jetës parlamentare në Kosovë.
Në këtë sezon programor ekranit të RTK-së do t’i kthehen figura të njohura televizive me emisionet e tyre të rikonceptuara dhe me skenografi të re.
Programet e reja në kuadër të skemës së re programore do të shohin dritën e transmetimit në javën e parë të muajit maj.
Në këtë mbledhje Bordi i RTK-së është njoftuar nga udhëheqësja e mediave online të RTK-së Ilire Zajmi, lidhur me reformat që janë ndërmarrë dhe po vazhdojnë në mediat online të RTK-së, përfshirë mundësinë për monetizimin e web-faqes së RTK-së.
Në lidhje me web-faqen e RTK-së, U.D Drejtori i RTK-së e njoftoi Bordin për emërimin e redaktorit për menaxhmin e lajmeve të komuniteteve jo serbe që publikohen në web-faqen e RTK-së, me përgjegjësi rikthimin e lajmeve të komuniteteve turke, boshnjake dhe rome. Kjo përgjegjësi do të përmbushet duke e koordinuar punën me redaksitë e tyre komunitete në televizion dhe radio.
---