29 Mars 2023

Auditorja kërkon nga RTK të rezervohet nga përfshirja e ZKA-së në vendimmarrje

Prishtinë, 5 prill - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes kësaj komunikate për media njofton opinionin publik se aktualisht është në fazën finale të auditimit financiar dhe të performancës të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit në sektorin publik, ZKA-ja nuk shpalos asnjë informatë apo nuk komenton lidhur me një auditim para se ai të ketë kaluar të gjitha fazat dhe të bëhet final.

Duke marrë parasysh disa lajme në media se një udhëheqës departamenti në kuadër të RTK-së është liruar nga detyra dhe një nga pikat e vendimit ishte mos bashkëpunimi me ZKA-në, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka dërguar shkresë Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, përmes së cilës e ka falënderuar stafin e RTK-së për bashkëpunimin gjatë procesit të auditimit dhe ka konfirmuar se ekipet që janë duke e kryer auditimin në RTK nuk kanë raportuar ndonjë shqetësim për vonesë në pranimin e dokumenteve nga zyrtari i liruar nga detyra.

Znj. Spanca ka bërë me dije se pasi të analizohen rezultatet e auditimit, ZKA-ja përmes raportit të auditimit do t’i japë rekomandimet në mënyrë të shkruar se çfarë veprimesh duhet të ndërmerr RTK-ja.

“Prandaj, deri në publikimin e raporteve, ju lutemi që të rezervoheni nga përfshirja e ZKA-së në çfarëdo vendimmarrje në  politikat tuaja të brendshme”, ka thënë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në shkresën e saj drejtuar z. Ahmetxhekaj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)