Zëvendësministri i teknologji së Shqipërisë vizitë në Kosovë
Prishtinë, 21 korrik - Dy zëvendësministrat e Ministrisë së Administratës Publike, Naim Fetahu dhe Amir Ahmeti kanë pritur sot zëvendësministrin Ministrisë për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit të Republikës së Shqipërisë, Visho Ajazi, të shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Shqipërisë Digjitale, Sidrit Malevi.
Takimi u përqendrua në bashkëpunimin mes dy ministrive, të cilat kanë një sërë përgjegjësish të njëjta. Qeverisja elektronike, si një mundësi e mirë për modernizimin e sistemit të qeverisjes në të dy shtetet dhe procesi i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, u theksuan si fusha ku bashkëpunimi dhe këmbimi i përvojave është i nevojshëm dhe i domosdoshëm.
Zëvendësministri Fetahu ka shprehur mirëseardhjen për delegacionin shqiptar dhe ka vlerësuar se duke marrë modelet pozitive në mënyrë të ndërsjellë do të mund të identifikohen më lehtë sfidat që kemi në fusha të ndryshme, veçmas në resorët ku MAP-i dhe MITIK-ja kanë përgjegjësi të njëjta, si në fushën e e-qeverisjes, po ashtu edhe në aspektin e realizimit të procesit të regjistrimit të popullsisë, mungesa e të cilit është prej tre dekadash.
Zëvendësministri tjetër i MAP-it, z. Ahmeti, ka shprehur kënaqësinë për mundësinë e bashkëpunimit dhe trajtimit të përbashkët të çështjeve konkrete, që lidhen me planifikimet afatgjata, por dhe me punën e përditshme të dy ministrive në fjalë dhe ka shprehur interesimin që ky bashkëpunim të thellohet në vazhdimësi.
Fetahu dhe Ahmeti po ashtu e njoftuan homologun tyre edhe me misionin e përgjithshëm të MAP-it dhe me përgjegjësitë që kjo ministri ka dhe në fusha të tjera.
Zëvendësministri i Ministrisë së ITIK-ut në Shqipëri, nga ana e tij ka shprehur kënaqësinë për mundësinë e takimit dhe ka vlerësuar avancimin e Kosovës në aspektin e qeverisjes elektronike, me theks të veçantë mbulimin e Kosovës me fibër optik, si një element shumë i rëndësishëm për të bërë hapa të suksesshëm drejt përparimit të teknologjisë dhe komunikimit elektronik në të gjitha aspektet.
Ai njoftoi dy zëvendësministrat e MAP-it , se tashmë në Shqipëri po bëhet përmbyllja e kuadrit ligjor që mbështet krijimin e Shoqërisë së Telekomunikacionit.
Gjithashtu, theksoi interesimin e Qeverisë së Shqipërisë për të investuar në shkollimin dhe krijimin e gjeneratës së re të profesionistëve të së ardhmes në fushën e teknologjisë së informacionit. Zëvendësministri Ajazi u interesua gjithashtu edhe për masat stimuluese që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë për të ruajtur kapacitetet njerëzore në këtë lëmi, në institucionet publike.
Një takim i veçantë, në rrafshin profesional është realizuar po ashtu sot, midis drejtorit të Departamentit të e-Qeverisjes dhe Proceseve Administrative në MAP, z. Isa Krasniqi dhe drejtorit të Departamentit të Shqipërisë digjitale të MITIK, z. Sidrit Malevi.