Twitter bllokon përgjithmonë llogarinë e Presidentit Trump
Washington, 10 janar - Presidenti Trump tha se do të shohë mundësinë për të krijuar platformën e tij të medias sociale pasi u bllokua përgjithmonë nga Twitteri llogaria e tij personale në këtë platformë. Zoti Trump e bëri komentin me një postim në llogarinë zyrtare të presidentit në Twitter.
Platforma e medias sociale Twitter fshiu nga llogaria zyrtare postimet e fundit të presidentit. Më parë të premten, Twitter njoftoi se ka pezulluar përgjithmonë llogarinë personale të zotit Trump si rezultat i rrezikut për nxitje të mëtejshme të dhunës.
“Pas një analize të kujdesshme të postimeve të fundit në Twitter nga llogaria @realDonaldTrump dhe konteksti që lidhet me to, ne kemi pezulluar përgjithmonë llogarinë si rezultat i rrezikut për nxitje të mëtejshme të dhunës,” tha kompania.
Kompania thotë se postimet e presidentit shkelin politikat e Twitter-it kundër “lartësimit të politikave të dhunshme” dhe se dy nga postimet e presidentit kishin “shumë të gjarë të nxisnin njerëzit të përsërisnin aktet që u panë në Kapitol. Twitter thotë se e mori vendimin “bazuar në një numër faktorësh,” përfshirë “planet për protesta të armatosura në të ardhmen që kanë filluar të shfaqen” në këtë platformë.
Ndërkaq, kompania Apple ka kërcënuar se do të heqë applikacionin për Parler, një platformë e medias sociale nga dyqanet e saj dixhitale App Store, nëse kompania nuk ndryshon politikat e kontrollit të postimeve, tha të premten shefi ekzekutiv i Apple-it, John Matza për agjencinë e lajmeve, Reuters.
Parler është platformë e medias sociale që përdoret nga shumë përkrahës të presidentit, të cilët janë bllokuar nga platforma të tjera si Twitter. Në një letër të dërguar nga kompania Apple në adresë të platformës Parler, të parë nga agjencia Reuters, Apple veçon raste kur kjo platformë është përdorur për diskutimin e planeve për t’u organizuar dhe për t’u mbledhur në Uashington me armë, pasi turma sulmoi të mërkurën ndërtesën e Kapitolit.
Kompanitë e medias sociale kanë reaguar me vendosmëri ditët e fundit për të bllokuar postime që i cilësojnë si nxitëse të dhunës.
Të enjten, gjigandi i medias sociale, Facebook, njoftoi se do të ndalojë Presidentin Donald Trump të postojë në llogarinë e tij, të paktën deri në përurimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Në një postim që njoftonte këtë lëvizje të paprecedentë, themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg tha të enjten se “rreziku për të lejuar Presidentin Trump të përdorë platformën është shumë i madh pas nxitjes së turmës që shkaktoi trazira vdekjeprurëse në ndërtesën e Kongresit të mërkurën”.
Zuckerberg njoftoi se llogaria e Zotit Trump do të mbyllet "për të paktën dy javët e ardhshme" por mund të mbetet e mbyllur edhe për një kohë të pacaktuar.
"Ngjarjet tronditëse të 24 orëve të fundit tregojnë qartë se Presidenti Donald Trump synon të përdorë kohën e tij të mbetur në detyrë për të minuar tranzicionin paqësor dhe të ligjshëm të pushtetit te pasardhësi i tij i zgjedhur, Joe Biden," shkroi Zuckerberg.
Platforma e mediave sociale, si Facebook, herë pas here kanë etiketuar ose hequr disa nga postimet e zotit Trump. Megjithatë këto vendime nuk kanë arritur të kënaqin një numër në rritje të kritikëve të Facebook-ut, që thonë se platformat e mediave sociale kanë mundësuar përhapjen e keqinformimit që është i rrezikshëm.
Por pas trazirave të së mërkurës, drejtuesi i Facebook-ut, Zuckerberg tha se është e nevojshme një qasje më agresive.
"Konteksti aktual tani është krejtësisht i ndryshëm, duke përfshirë përdorimin e platformës sonë për të nxitur kryengritje të dhunshme kundër një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike," shkroi ai.
Para vendimit të së premtes, Twitter si dhe Instagram gjithashtu bllokuan përkohësisht llogaritë e Presidentit Donald Trump, pasi ai postoi vazhdimisht akuza të rreme në lidhje me integritetin e zgjedhjeve. Kompania Twitter tha të enjten se nuk kishte ndonjë vendim tjetër për llogarinë e zotit Trump.
Presidenti Trump ka përdorur vazhdimisht fuqinë e mediave sociale për të përhapur të pavërteta në lidhje me integritetin e zgjedhjeve dhe rezultatet e garës presidenciale.