21 Dhjetor 2024

Qeveria po synon të ulë barrën administrative duke digjitalizuar shërbimet

Prishtinë, 8 prill - Instituti GAP publikoi sot raportin “Ndikimi i digjitalizimit të shërbimeve të gjendjes civile në të hyrat buxhetore të komunave”.

Qeveria e Kosovës sipas GAP po synon të ulë barrën administrative duke digjitalizuar shërbimet dhe duke ulur koston që qytetarët duhet ta bartin për kryerjen e shërbimeve.

Me barrë administrative nënkuptohet çdo procedurë që shkakton shpenzime shtesë për qytetarët dhe vonesa në marrjen e shërbimeve administrative.

Instituti GAP përmes këtij raporti ka analizuar se si ndikohen komunat nga procesi i i uljes së barrës administrative dhe digjitalizimit të shërbimeve të gjendjes civile.

Disa nga dokumentet e gjendjes civile kanë filluar të ofrohen në formë elektronike nga qershori 2022 në platformën e-Kosova.

Nga muaji qershor deri në fund të dhjetorit të vitit 2022, nga platforma e-Kosova sipas GAP qytetarët kanë tërhequr 238,015 dokumente të gjendjes civile.

Ndërsa në formë fizike, gjatë vitit 2022, qytetarët kanë tërhequr afro 2.2 milionë dokumente nga sektori i gjendjes civile.

Aktualisht, në tërë territorin e Kosovës ekzistojnë 180 njësi administrative (bashkësi lokale) që ofrojnë nëntë dokumente të gjendjes civile.

Sipas kalkulimeve të Institutit GAP, qytetarët pritet t’i kursejnë mbi 1.5 milionë euro në vit nga tërheqja online e dokumenteve të gjendjes civile nga platforma e-Kosova.

Ngjashëm, komunat priten t’i ulin shpenzimet e tyrë të stafit, veçmas tek bashkësitë lokale, mbyllja dhe riformatimi i shumë prej të cilave është rekomanduar nga Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC).

"Dilema që e ka shoqëruar nismën e uljes së barrës administrative është nëse ky proces do të shoqërohet me humbje buxhetore, veçmas nga komunat, meqë të hyrat nga administrata konsiderohen dhe trajtohen si të hyra vetanake për nivelin lokal", vlerëson GAP.

Sipas vlerësimit të Institutit GAP, të hyrat e 38 komunave në vitin 2022 nga lëshimi i dokumenteve dhe ofrimi i shërbimeve nga sektori i gjendjes civile ishin rreth 2.3 milonë euro, kurse shpenzimet rreth 2.2 milionë euro.

Pjesëmarrja e të hyrave financiare nga shërbimet e gjendjes  civile në të hyrat vetanake të komunave është e ulët.

Në pjesën më të madhe të komunave,  kjo pjesëmarrje është 1% deri në 4%. Andaj, ulja apo eliminimi i barrës administrative nuk pritet të ketë ndikim të madh në buxhetin e komunave.

Nga të dhënat e pranuara nga komunat, del se nuk ekziston ndonjë lidhshmëri mes numrit të stafit në zyret e gjendjes civile nëpër komuna dhe numrit të  banorëve në komunat përkatëse.

Prishtina që zyrtarisht vlerësohet t’i ketë afro 220,000 banorë, ka të punësuar 39 zyrtarë apo një zyrtar/e për 5,641 banorë, ndërsa Skenderaj që vlerësohet t’i ketë 52,600 banorë ka  të punësuar 17 zyrtarë apo një zyrtar/e për 3,094banorë, apo Komuna e Klinës me 40,000 banorë ka të punësuar 15 zyrtarë apo një zyrtar/e për 2,667 banorë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)