Oda Amerikane fillon aktivitetet e javës së vajzave në TIK
Prishtinë, 25 prill - Me qëllim të vetëdijesimit, promovimit dhe motivimit të angazhimit dhe fuqizimit të vajzave në industrinë e TIK, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, nën patronatin e Komunës së Prishtinës ka filluar me aktivitetet e saja për shënimin e javës së vajzave në TIK, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në TIK, e cila shënohet me datë 28 prill.
Gjatë kësaj jave do të organizohen një numër i ngjarjeve, ku folëse të ndryshme nga sektori i TIK do të flasin për mundësitë që kjo industri u ofron vajzave.
Drejtoresha e Shitjes, Marketingut dhe Operacioneve në kompaninë UCX, njëherit edhe Sekretare e Përgjithshme e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Jeta Zagragja tha se kjo është një industri që me dinamikën dhe kaosin e saj ofron mundësi të zgjidhjes së problemeve dhe se është e rëndësishme të fillohet në moshë të hershme për t’u mbjellë farat e duhura.
“Duke qenë vetvetja dhe duke pasur disiplinë në vendin e punës, mund të arrini çdo herë atë që dëshironi. Ne gratë nuk kemi nevojë për ndihmë dhe nuk kemi nevojë që të na krijohen mundësi, sepse ne ia dalim vetë, dhe ne krijojmë mundësitë tona duke punuar shumë”, tha Zagragja.
Abetare Gojani, Drejtoreshë Ekzekutive e IPKO Foundation tha se është e rëndësishme që vajzat të jenë të informuara se ky sektor nuk përbëhet vetëm nga gjinia mashkullore, por që ka hapësirë tejet të madhe edhe për përfshirjen e vajzave. Gojani shtoi se natyra detajiste e vajzave është shumë e nevojshme për çdo inxhinier.
Ekspertja e edukimit jo-formal, Ylberina Mala tha se edukimi i vazhdueshëm është shumë i rëndësishëm në këtë industri dhe se përfshirja në të duhet filluar në moshë të re. “Unë gëzohem që të rinjve sot u ofrohen mundësi për të krijuar aftësi, të cilat nuk ofrohen vetëm në shkollë, por të cilat mund të pasurohen edhe nga edukimi joformal, dhe jam e lumtur që i përkas kësaj fushe që ndikon në edukimin e shumë gjeneratave të reja”, tha Mala.
Liridona Gërxhaliu nga kompania Sonnecto, njëherit edhe moderatore e kësaj ngjarjeje, tha se në ky sektor vazhdon të ketë numër shumë të vogël të vajzave, duke shtuar se këto statistika janë tejet shqetësuese. Ajo shtoi se vajzat i japin vlerë të shtuar kësaj industrie dhe pjesëmarrja e tyre është shumë e rëndësishme.