22 Mars 2023

Microsoft do të pushojë 10,000 punonjës nga puna

New York, 20 janar - Kompania amerikane e teknologjisë, Microsoft do të pushojë 10,000 punonjës nga puna, pothuajse 5% të fuqisë së saj punëtore. Me këtë vendim, Microsofti u bashkohet kompanive të tjera të teknologjisë që kanë shkurtuar stafin e tyre pas punësimeve të bëra gjatë periudhës së pandemisë së virusit Covid-19.

Kompania tha të mërkurën se pushimet nga puna ishin reagim ndaj “kushteve makroekonomike dhe ndryshimit të përparësive të klientëve”.

Microsoft tha se gjithashtu do të bëjë gjithashtu konsolidime të ambjenteve me qera që i përdor për zyra.

Megjithatë kompania po largon shumë më pak njerëz nga puna sesa kishte punësuar gjatë pandemisë së COVID-19 pas rritjes së përdorimit të prodhimeve dhe platformave të saj, në një kohë kur pothuajse gjithkush punonte ose kryente shkollën nga shtëpia.

Fuqia punonjëse e Microsoft-it u rrit me rreth 36% në dy vitet fiskale pas shpalljes së pandemisë, duke u rritur nga 163,000 punonjës në fund të qershorit të vitit 2020, në 221,000 në qershor të vitit 2022.

Shkurtimet përfaqësojnë “më pak se 5 për qind të numrit total të punonjësve”, shkruante shefi ekzekutiv, Satya Nadella në një email drejtuar punonjësve.

“Ndërsa po eliminojmë pozitat në disa fusha, ne do të vazhdojmë të punësojmë në fusha kyçe strategjike,” tha zoti Nadella. Ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të një “platforme të re kompjuterike” duke përdorur përparimet në inteligjencën artificiale.

Ai tha se klientët që rritën shpenzimet e tyre në teknologjinë dixhitale gjatë pandemisë tani po përpiqen të “shfrytëzojnë investimet e tyre dixhitale për të bërë më shumë me më pak”.

“Ne po shohim gjithashtu që organizatat në çdo industri po tregojnë kujdes me shpenzime pasi disa pjesë të botës janë në recesion dhe pjesë të tjera parashikojnë të hyjnë në një periudhë të tillë,” shkroi më tej zoti Nadella.

Edhe kompanitë e tjera të teknologjisë kanë pushuar nga puna pjesë të stafit të tyre pas ngritjes së shqetësimeve për ngecje ekonomike.

Amazon dhe kompania Salesforce në fillim të këtij muaji njoftuan gjithashtu shkurtime të mëdha të vendeve të punës.

Amazon tha se do të eliminojë rreth 18,000 pozicione që përbëjnë numrin më të madh të pushimeve nga puna në historinë e kompanisë me seli në Seattle, pjesën më perëndimore të SHBA-së. Ky vendim megjithatë përfshiu vetëm një pjesë të vogël të fuqisë punëtore të saj globale prej 1.5 milionë punonjësish.

Kompania Meta, ku bën pjesë Facebook-u, po pushon nga puna 11,000 njerëz, rreth 13% të fuqisë punëtore të saj. Pronari i rrjetit social Twitter, Elon Musk, gjithashtu ka zvogëluar fuqinë punëtore të kompanisë.

Zoti Nadella nuk përmendi drejtpërdrejt pushimet nga puna të mërkurën kur u paraqit në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet këtë javë në Davos të Zvicrës.

Kur u pyet nga themeluesi i forumit, Klaus Schwab se çfarë nënkupton shkurtimi i vendeve të punës në sektorin e teknologjisë për modelin e biznesit të industrisë, ai tha se kompanitë që lulëzuan gjatë pandemisë së COVID-19 tani po shohin “normalizimin” e kërkesave nga konsumatorët.

“Ne në industrinë e teknologjisë do të duhet të jemi efikas,” tha zoti Nadella.

Microsoft nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve se ku do të përqendroheshin pushimet nga puna dhe mbyllja e zyrave. Që nga qershori, ajo kishte 122,000 punëtorë në SHBA dhe 99,000 në vende të tjera në botë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)