Kosova me aplikacion për cilësinë e ajrit në kohë reale
Prishtinë, 18 mars - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me shefin e Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Luigji Brusa, sot kanë lansuar aplikacionin mobil për prezantimin në kohë reale të të dhënave mbi cilësinë e ajrit në Kosovë.
Në një konferencë për media, ministri Matoshi tha se ky aplikacion do ua mundësoj qytetarëve të Republikës së Kosovës, të shohin cilësinë e ajrit në kohë reale.
“ Më qëllim të informimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës mbi cilësinë e ajrit nga stacionit monitoruese që posedojmë, me përkrahjen e Komisionit Evropian, sot po lansojmë aplikacionin për Android dhe IOS, përmes të cilit do të paraqiten të dhënat për cilësinë e ajrit, në kohë reale. Krahas masave dhe veprimeve që po ndërmarrim në reduktimin e ndotjes së ajrit, ky aplikacion do të ofrojë informata mbi nivelin e ndotjes dhe pasojat në shëndet”, deklaroi Matoshi.
Me tutje, Matoshi bëri të ditur se qytetarët do të mund të kyçen në aplikacion duke klikuar në stacionet prej nga do të informohen për cilësinë e ajrit.
“Ne do të mundohemi si ministri të angazhohemi edhe më shumë për të rritur cilësinë e ajrit në vendin tonë”, tha ai.
Ministri Matoshi, falënderoi Komisionin Evropian për mbështetje në krijimin e këtij aplikacioni si dhe donatorët tjerë si MCC-në, për rehabilitimin e rrjetit ekzistues për monitorimin e cilësisë së ajrit, si dhe softuerin e përhershëm për prezantimin e të dhënave për cilësinë e ajrit, parashikimin e cilësisë së ajrit dhe ndikimin ne shëndet. Po ashtu falënderoi edhe JICA Japoneze e cila është duke bërë studimin për identifikimin e ndotësve te ajrit si dhe UNDP-në me të cilët MMPH-ja është duke përgatitur një fushatë vetdijësuese për reduktimin e ndotjes së ajrit.
Nga ana tjetër shefi i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Luigji Brusa, tha se përmes këtij aplikacioni, qytetarët e Republikës së Kosovës mund ta shohin cilësinë e ajrit në mënyrë transparente.
“Hapi i parë është të shohim se çka po ndodh me cilësinë e ajrit dhe çfarë ajri po thithim. Natyrisht që tani është me rëndësi që qeveria të ndërmarrë masa që ta përmirësoj kualitetin e ajrit në mënyrë që t’i eliminojnë burimet e ndotjes”, deklaroi Brusa.
Sipas tij, BE-ja është duke investuar në Kosovë në ndërrimin e filtrave të Kosovës B, në zgjerimin e Ko-gjenerimit në mënyrë që të reduktohet shfrytëzimi i qymyrit në Prishtinë.
Ndërsa Shkumbin Shala, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, prezantoi formën e përdorimit të aplikacionit i cili mund të shkarkohet në telefonat Android dhe IOS.
...