22 Mars 2023

Google shkurton 12 mijë vende pune

New York, 20 janar - Google njoftoi të premten shkurtimin e 12 mijë vendeve të punës, ose rreth 6% të fuqisë punëtore, duke u bërë kompania më e fundit e teknologjisë që shkurton punonjësit, mes vështirësish financiare.

Kompanitë e teknologjisë u përballën me një rritje të shpejtë gjatë pandemisë, e cila tashmë duket të jetë tkurrur.

Drejtori ekzekutiv i firmës Google, Sundar Pichai informoi personelin për shkurtimet nëpërmjet një email-i që u postua dhe në blogun e lajmeve të kompanisë.

Krahas Google edhe kompani si Microsoft-i, Amazon, Meta e kompani të tjera të teknologjisë, kanë shkurtuar së fundmi me dhjetëra mijëra vende pune, ndërsa po ‘shtrëngojnë rripat’ mes një perspektive të errët për industrinë. Vetëm këtë muaj, janë njoftuar të paktën 48,000 shkurtime të vendeve të punës nga kompanitë kryesore në këtë sektor.

"Gjatë dy viteve të fundit ne u përballëm me periudha të rritjes dramatike", shkruante zoti Pichai. “Kompania bëri punësime për t’iu përshtatur kësaj rritjeje, bazuar në një realitet ekonomik, të ndryshëm nga ai me të cilin përballemi sot”, shtoi ai më tej.

Në fund të vitit të kaluar kompania njoftonte se kishte një fuqi punëtore prej rreth 187,000 personash.

Zoti Pichai tha se Google, një kompani e themeluar gati një çerek shekulli më parë, ishte e detyruar të kalonte nëpër cikle të vështira ekonomike. Ai shtonte se shkurtimet e vendeve të punës do të jenë në SHBA, si dhe në vende të tjera.

Punësimi në të gjithë sektorët në SHBA ka qenë i qëndrueshëm pavarësisht shenjave për rënie të rritjes ekonomike. Në dhjetor u shtuan 223,000 vende të reja pune.

Edhe pas raundit të fundit të shkurtimeve, kompanitë teknologjike vazhdojnë të punësojnë shumë më tepër njerëz se sa përpara fillimit të bumit ekonomik të nxitur nga pandemia.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)