Bill Gates largohet nga kryesia e Microsoft-it
New York, 14 mars - Themeluesi dhe këshilltari teknologjik i Microsoft, Bill Gates, është tërhequr nga bordi drejtues i kompanisë.
Gjiganti amerikan i teknologjisë bëri të ditur në një njoftim se Gates është larguar nga bordi pasi dëshiron të ndajë më shumë kohë për prioritete të tjera filantropike, si shëndeti global, zhvillimi, arsimi dhe lufta kundër ndryshimeve klimatike.
Në njoftim thuhet se Gates do të vazhdojë të jetë këshilltar teknologjik i drejtuesit të lartë Satya Nadella dhe drejtuesve të tjerë të firmës.
Ndërkaq, Gates, i cili e themeloi Microsoft-in në vitin 1975 së bashku me Paul Allen, tha në një deklaratë në Linkedin se krahas Microsoft-it, ai është larguar edhe nga bordi i kompanisë Berkshire Hathaway e miliarderit Warren Buffet, ku kishte shërbyer nga viti 2004.
"Largimi im nga bordi nuk do të thotë largim nga kompania. Microsoft gjithmonë do të jetë pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe do të vazhdojë të jem në komunikim me Satya-n për të ndihmuar në formësimin e vizionit të kompanisë dhe arritjen e objektivave", ka thënë Gates.