22 Mars 2023

FIFA zgjeron Kupën e Botës 2026 në 48 ekipe me 104 ndeshje për t’u luajtur

Gjenevë, 14 mars - Federata Ndërkombëtare e Shoqatës së Futbollit (FIFA) ka konfirmuar se Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet me 48 ekipe të ndara në 12 grupe dhe me 104 ndeshje të luajtura.

Këshilli i FIFA-s miratoi njëzëri ndryshimin e propozuar për formatin e garave të Kupës së Botës FIFA 2026.

“Formati i rishqyrtuar zbut rrezikun e marrëveshjeve të fshehta dhe siguron që të gjitha skuadrat të luajnë të paktën tre ndeshje, duke garantuar kohë pushimi të balancuar ndërmjet ekipeve konkurruese”, thuhet në njoftimin e FIFA-s.

Këshilli i FIFA-s u mblodh në takim para Kongresit të 73-të të FIFA-s në kryeqytetin Kigali të Ruandës.

Organi qeverisës i futbollit botëror tha se ata bënë një rishqyrtim të plotë duke konsideruar “integritetin sportiv, mirëqenien e lojtarëve, udhëtimin në ekip, atraktivitetin komercial dhe sportiv, si dhe përvojën e ekipit dhe tifozëve” për të zgjeruar kampionatin e ardhshëm të Kupës së Botës.

Ky do të jetë Botërori i parë që do të bashkë-organizohet nga tre vende, SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika.

FIFA po ashtu konfirmoi se finalja e ardhshme e Kupës së Botës është planifikuar të zhvillohet më 19 korrik të vitit 2026 pasi ngjarja kryesore e futbollit është kthyer në kalendarin e saj tradicional.

Katar 2022, i cili u fitua nga Argjentina në muajin dhjetor, ishte turneu i parë i Kupës së Botës në hemisferën veriore që nuk u mbajt gjatë sezonit veror.

SHBA-ja për herë të fundit ka qenë nikoqire e Kupës së Botës në vitin 1994. Meksika, nga ana tjetër, ka pritur dy herë finalet e Kupës së Botës, respektivisht në vitet 1970 dhe 1986. Ndërkohë, Kanadaja për herë të parë do të jetë nikoqire e Botërorit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)