31 Mars 2023

A mund ta forcojë Kosova pozitën e vet ndërkombëtare përmes sportit

Prishtinë, 24 nëntor - Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) organizon panel diskutimi me temë “Diplomacia sportive: A mund ta forcojë Kosova pozitën e vet ndërkombëtare përmes sportit?”
 
Pas dy dekadash izolimi, Kosova ia ka dalë të bëhet anëtare e plotë në shumicën e organeve drejtuese ndërkombëtare të sportit në gjashtë vjetët e fundit, së pari duke u pranuar në familjen olimpike në vitin 2014 dhe më vonë duke u bërë pjesë e FIFA-s në vitin 2016.

Të dyja këto anëtarësime sipas KFOS kanë ndihmuar normalizimin e shtetësisë së Kosovës për shumë audienca që nuk kanë dëgjuar asgjë pozitive për vendin për vite me radhë.

Për më tepër KFOS konsideron se përmbushja e sovranitetit sportiv i ka falur shtetit më të ri në Evropë mundësinë për të vepuar si shtet, edhe pse është përballur me pengesa sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare të sferave të tjera.
 
Ndonëse kanë kaluar disa vjet nga përvojat e përfaqësuesve pishtarë të Kosovës që filluan të garonin në rrafshin ndërkombëtar, Kosova vazhdon të ballafaqohet me shumë sfida në diplomacinë sportive.

Pavarësisht nga kjo, fusha në fjalë mbetet shteg i fuqishëm për Kosovën që të përfshihet dhe të forcojë marrëdhëniet e dyanshme me shtetet mosnjohëse sikur Spanja dhe Greqia, si dhe një shteg për përdorimin e sportit si vegël e pushtetit të butë, sidomos pas pertformancave frymëzuese të sportistëve të suksesshëm të Kosovës.

Sporti po ashtu mbetet fushë interesante për të hartuar dhe shpleksur çështjet e brendshme të identitetit kulturor dhe kombndërtimit.
 
Ndërsa fokusi i botës zhvendoset nga Kampionati Botëror, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur ju fton të merrni pjesë në panel diskutimin “Diplomacia sportive: A mund ta forcojë Kosova pozitën e vet ndërkombëtare përmes sportit?”
 
Në kuadër të këtij diskutimi, Dr. George Kyris dhe Juan Manuel Montoro do të paraqesin analizën e tyre mbi mënyrën se si diplomacia sportive i ka mundësuar Kosovës zgjerimin e njohjes ndërkombëtare përjashta dhe artikulimin e një identiteti kombëtar përbrenda me titullin “Diplomacia Sportive e Kosovës: Duke iu qasur ndërkombëtares; duke e ndërtuar kombëtaren”.
 
Për ta diskutuar këtë temë, Fondacioni ka ftuar Zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit znj. Daulina Osmani, dhe znj. Silvija Mitevski, drejtore sportive dhe konsultente për diplomacinë sportive, e cila do t’u bashkohet dy bashkautorëve në një panel të moderuar nga z. Arian Lumezi. Agjendën mund ta gjeni këtu.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 mars 2023

- Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të masakrës së Burimit, Komuna e Malishevës organizon akademi përkujtimore. (Salla e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 11:00)

- Lëvizja FOL organizon konferencë me ç’rast do të prezantohen gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022, si dhe në bazë të këtyre gjetjeve do të ndahet “Çmimi për Gjykatën më Transparente” - për dedikim të vazhdueshëm në ngritjen e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore. (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Kryetari I Federatës Sindikale te Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi do të mbaj konferencë për shtyp lidhur me protestën dhe grevën e punëtorëve teknik të këtij spitali që veq ka filluar para dy ditësh. (Spitali Isa Grezda në Gjakovë, ora 11:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë diskuton lidhur me kërkesën për zhvillim të diplomacisë parlamentare nga Qendra për Studime Politike dhe Diplomatike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Mbahet manifestimi përkujtimor me rastin e 24-vjetorit të vrasjes dhe masakrimit të 106 civilëve në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit. (Kompleksi i Martirëve, Pastasel, ora 11:00)

- Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, mbanë konferencë për media. (MAShTI, ora 11:30)

- Kryetari i Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati bën homazhe në varrezat e martirëve në fshatin Dragobil dhe të Kompleksi në vendin e ngjarjes Vrella e Mëhillit. (Fshati Burim, ora 12:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së,  ora 12:30)

- Komuna e Prishtinës përuron hapësirën e dedikuar për sigurinë e nxënësve dhe komunitetin në hapësirat përreth Shkollës Fillore “Elena Gjika”. (Afër shkollës, ora 13:00)

- Komiteti Olimpik i Kosovës organizon Asamblenë e Punës për vitin 2022. (Hotel Emerald, ora 17:00)