28 Mars 2024

Sistemi gjyqësor vazhdon të jetë jotransparent, joefikas dhe i cenueshëm

Prishtinë, 5 dhjetor - Koalicioni i OJQ-ve,  Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus kanë organizuar sot tryezë të rrumbullakët, ku është diskutuar lidhur me reformën në drejtësi.

Në këtë diskutim kanë marrë pjesë përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, shoqërisë civile, Agjencisë Kundër Korrupsion, si dhe pjesëtarë të partive politike.

Eros Gashi, këshilltar i Ministres së Drejtësisë, znj.Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria janë marrë jashtëzakonisht me inciativat ligjore për reforma në drejtësi dhe realizimin e prioritetit qeveritar për realizimin e këtij qëllimi.

Tutje, ai gjatë fjalës së tij, ka përmendur inciativat ligjore të ndërmarra nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, përfshirë Byronë për Verifkimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Vetingun, si dhe një sërë të inciativave ligjore që tha se përfshijnë reformimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor.

Liridon Salihu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), tha se GLPS në vazhdimësi ka potencuar faktin se sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës ka nevojë për reforma të mirëfillta.

Ai tha se pavarësisht reformave që kanë qenë edhe në të kaluarën, konsiderojnë që edhe në vitin 2022, sistemi gjyqësor vazhdon të jetë jotransparent, joefikas dhe i cenueshëm nga ndikimet qoftë brenda apo jashtë pushtetit gjyqësor.

Ai ka shtuar se të njëjtit konsiderojnë që është pozitive që tashmë është gati pakoja e Vetingut, e që sipas tij kjo pako në përgjithësi ka adresuar edhe rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias.

Sipas Gzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reformat në sistemin e drejtësisë nuk janë zhvilluar në mënyrë adekuate.

Sipas tij, Vetingu ende nuk ka filluar derisa as në Kuvend, Byrosë për Konfiskimin dhe Verifikimin e Pasurisë nuk i është dhënë pavarësi objektive.

Sa i përket Gjykatës Komerciale, Shala ka thënë se kjo Gjykatë është themeluar, por mos suportimi i saj me buxhet adekuat për numrin e gjyqtarëve, ia humb kuptimin themelimit të kësaj gjykate.

Në kundërshtim me Kushtetutën, Shala thotë se janë ulur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe në kundërshtim me kushtetutën  është inkorporuar në MD.

Drejtori i  Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj, bëri të ditur se këtë vit ka pasur hapa të rëndësishëm në krijimin e të ashtuquajturës kornizë ligjore për aspektet e parandalimit të korrupsionit duke filluar me aprovimin e Ligjit për Agjenci për Parandalimin e Korrupsionit, ku sipas tij, u është fokusuar tashmë veprimtaria në aspektet e parandalimit dhe u janë dhënë dhe disa mekanizma tepër të rëndësishëm, të cilët në qoftë se arrijnë t’i zbatojnë beson se do të kontribojnë fuqishëm në parandalimin e korrupsionit.

Ai tha se Agjencia nuk ka burime qoftë njerëzore, qoftë financiare për zbatim në plotni të këtij mandati të ri, derisa versioni i parë apo projektligji i parë nuk i ka përfshi të gjitha kërkesat tona për buxhet shtesë, por se beson fuqishëm që këto kërkesa tona do të adresohen nga Kuvendi i Kosovës.

Përparim Gruda, koordinator i projektit për drejtësi në kuadër të kabinetit të qeverisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke komentuar se çfarë ka bërë Qeveria gjatë dy viteve në pushtet, ka thënë se ka pasur mungesë totale të koordinimit të Qeverisë me pushtetin gjyqësor.

Sipas tij, pushteti gjyqësor është sulmuar, duke shtuar se asnjëherë nuk kanë parë ministra që i komentojnë aktakuzat dhe aktgjykimet.

Ndërkaq, lidhur me procesin e Vetingut, Gruda ka thënë se qeveria nuk ka treguar  seriozitet.

Ky organizim bëhet në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, e cila organizohet nga Koaliconi i OJQ-ve. Në këtë organizim janë të ftuar të gjithë akterët vendor dhe ndërkombëtar në Kosovë, me qëllim të sensibilizimit në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies sa i përket luftës kundër korrupsionit.

Motoja e “Javës Kundër Korrupsion për vitin 2022”, e Koalicionit të OJQ-ve është “Bashkë Kundër Korrupsionit”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)