29 Maj 2023

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj G.P për dhunim gjatë luftës në Kosovë

Prishtinë, 19 maj - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamentin Special, aktakuzë në mungesë ndaj të akuzuarit me iniciale G.P. për vepër penale të dhunimit gjatë luftës në Kosovë.

Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri si pjesëtar i forcave rezervë policore të Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, me përdorimin e dhunës fizike dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka  kryer dhunim seksual ndaj mashkullit të nacionalitetit shqiptar.

Me këtë veprim i akuzuari ka kryer veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’ nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, ju njoftojmë se kjo është aktakuzë e dytë në mungesë që ka të bëjë me dhunim gjatë luftës në Kosovë, e ngritur pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet e prokurorisë për të siguruar pranin fizike të pandehurit në procedurë, andaj, Prokuroria Speciale ka propozuar që ndaj të njëjtit të mbahet gjykimi në mungesë.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)