22 Mars 2023

Prokuroria dhe Zyra e Auditimit nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Prishtinë, 16 mars - Me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, si dhe në pajtim me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, znj. Vlora Spanca, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, ku të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishin edhe përfaqësuesit e Zyrës së OPDAT-it të Ambasadës Amerikane në Kosovë.  

Marrëveshja ndërmjet institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit, përcakton mënyrën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve ndërinstitucionale dhe procedurave standarde në shkëmbimin e informacioneve lidhur me rastet të cilat sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës paraqesin vepra penale, që janë identifikuara gjatë ushtrimit të aktiviteteve audituese, të paraqitura nga Zyra Kombëtare e Auditimit tek Prokurori i Shtetit sipas Kodit të Procedurës Penale.  

Të dyja palët u zotuan se do të avancojnë mënyrat e komunikimit, si dhe të shkëmbimit të të dhënave të cilat janë të nevojshme për zbatimin sa më efikas të kësaj marrëveshjeje. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)