31 Maj 2023

Presidentja Osmani dekretoi 21 prokurorë me mandat fillestar

Prishtinë, 17 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës ka dekretuar sot 21 prokurorë me mandat fillestar për tre vite, ndërkohë që të njëjtit do të sistemohen në prokuroritë themelore.

Në ceremoninë e betimit, Presidentja Osmani ka theksuar se integriteti dhe profesionalizmi i prokurorëve janë elemente thelbësore për një sistem të drejtësisë që garanton barazinë dhe besimin qytetar.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ftoi prokurorët e rinj që të angazhohen për një sistem të drejtësisë të pavarur, të pandikuar dhe profesional.

Ndërkaq prokurorët e rinj janë betuar se gjatë kryerjes së detyrave do t’i qëndrojnë kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 maj 2023

- Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor RYCO në partneritet me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe Deutsche Welle, mbajnë konferencën përmbyllëse të ciklit të dytë të programit “Transmetuesit e Paqes: Fuqizimi i gazetarëve të rinj si raportues të paqes”. (Salla e Konferencave “Orion”, ora 9:30)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektëligjin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike shënon Ditën Botërore pa Duhan me moton “Ne kemi nevojë për ushqim, jo për duhan”. (Ndërtesa e Institutit, ora 10:00)

- Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” do të ndërmarrë aksion për shkyçje në tri objekte banesore në Prishtinë. (Nisja e organizuar nga objekti i KRU “Prishtina”, Emshir, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla salla C 301, ora 11:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raporton në Komisionin për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare, të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:30)

- Promovohet libri "E vërteta e aktorit" e autorit Naim Berisha. (Amfiteatri i Bibliotekes Kombëtare, ora 12:00)

- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, mban konferencë për medie lidhur me situatën aktuale në veri. (Selia e LDK-së te Qafa, ora 13:30)