18 Prill 2024

Policia e Kosovës arreston një serb për krime luftë

Prishtinë, 16 dhjetor - Policia e Republikës së Kosovës ka thënë se ka arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në veriun e vendit, nën dyshimet për përfshirje në krime lufte kundër popullsisë civile gjatë kohës ë luftës në Kosovë.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha se i arrestuari S.T. dyshohet se “së bashku edhe me persona të tjerë të uniformuar ka marrë pjesë në ofensivën ushtarake të datës 06 prill të vitit 1999, në fshatin Reznik të komunës së Vushtrrisë dhe në ofensivën e datës 02 maj të vitit 1999, në qytetin e Vushtrrisë. Në këtë rast i pandehuri në bashkëveprim edhe me persona të tjerë ka qenë i përfshirë në keqtrajtimin, maltretimin, plaçkitjen si dhe vrasjen e personave civilë dhe shpërnguljen më dhunë nga shtëpitë e tyre gjatë kohës se luftës”.

Ndërkohë, drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se i arrestuari është Slagjan Trajkoviç, ish-pjesëtar i policisë së Kosovës.

“Si po shfaqen papritmas provat kundër serbëve, sapo u larguan nga institucionet, e që nuk ekzistonin derisa ishin pjesë e institucioneve të Kosovës", shkroi Petar Petkoviç në rrjetet sociale, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për sic tha “gjueti mbi serbët” dhe i cili “nuk dëshiron uljen e tensioneve në veriun e Kosovës”.

Që nga e shtuna rrugët që çojnë për në vendkalimet kufitare të Kosovës me Serbinë në veri, vazhdojnë të jenë të bllokuara nga grupe serbësh në shenjë pakënaqësie pas arrestimit të një ish pjesëtari të policisë, nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarëve policor gjatë javës së kaluar, ndërsa po bëheshin përgatitje për zgjedhjet komunale në veri, të cilat megjithatë u shtynë nga autoritetet në Prishtinë.

Që nga fillimi i muajit nëntor në veriun e Kosovës nuk ka më pjesëtarë të policisë nga radhët e komunitetit serb të cilët sikurse edhe punonjësit tjerë të institucioneve vendase u larguan mes mospajtimeve me vendimin e qeverisë qendrore në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Kosova shpalli pavarësinë e saj që kundërshtohet nga Beogradi, nëntë vjet pas përfundimit të luftës së viteve 1998 – 1999 me ndërhyrjen e forcave të NATO-s.

Mbi 10 mijë veta u vranë dhe mbi 5 mijë llogariteshin të zhdukur në fund të luftës, ndërsa edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)