22 Mars 2023

OSBE dhe MPB organizojnë konferencë për parandalimin e trafikimit me njerëz

Prishtinë, 9 mars - Misioni i OSBE-së në Kosovë, së bashku me Zyrën e Përfaqësuesit Special të OSBE-së për Luftimin e Trafikimit me Njerëz dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të organizojnë nesër një konferencë në Prishtinë mbi rolin e prokurimit publik në parandalimin e trafikimit me njerëz për shfrytëzim në punë në zinxhirët e furnizimit.

Trafikimi me njerëz është bërë në një problematikë serioze e të drejtave të njeriut, duke qenë se ekonomitë e sotme karakterizohen nga procese komplekse të prokurimit, të cilat rezultojnë në rritjen e rasteve ku kompanitë shmangin rregullat dhe rregulloret gjatë punësimit të personelit ose prodhimit të produkteve të tyre.

Në këtë ngjarje do të mblidhen përfaqësues të qeverisë, odave të tregtisë, sindikatave, shoqatave të punëdhënësve, institucioneve të të drejtave të njeriut, botës akademike, inspektorëve të punës, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve të tjerë privatë dhe publikë në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz për qëllime të shfrytëzimit për punë në zinxhirët e furnizimit.

Synimi është që hisedarët dhe zyrtarët përkatës të njoftohen dhe përditësohen me risitë në zhvillimet e fundit legjislative dhe të politikave në këtë fushë dhe mënyrat për të forcuar parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz në zinxhirët e furnizimit.   

Fjalimet hyrëse në Konferencë do t’i mbajnë Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Blerim Gashani, Zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe Koordinator Kundër Trafikimit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)