22 Mars 2023

Ndalohet një person për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik

Gjilan, 13 mars - Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim me Policinë e Kosovës - Njësinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Gjilan, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve të dyshuarin A.K., për shkak të veprës penale ‘’Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik’’, nga neni 415 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I njëjti dyshohet se ka falsifikuar një dokument zyrtar të lëshuar kinse nga Ministria e Forcës së Sigurisë (Ministria e Mbrojtjes), me të cilin dokument ka aplikuar në një tender publik në vitin 2021, në Komunën e Gjilanit dhe e ka fituar të njëjtin.

Me  këto referenca i dyshuari kishte aplikuar në Komunën e Gjilanit në tenderin e lartshënuar duke fituar dhe firmosur kontratën me komunën e Gjilanit në vlerën njëqind e pesëdhjetë e pesë mijë euro (155,000€).

Me këto veprime i dyshuari, dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në Prokurimin publik” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Me këto veprime dyshohet të ketë kryer veprën e sipërshënuar penale.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)