29 Maj 2023

Naser Kelmendi dënohet me 4 vjet e 8 muaj për trafikim me narkotikë

Prishtinë, 18 maj - Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj Naser Kelmendit për trafikim me narkotikë.

Kelmendi u dënua me 4 vjet e 8 muaj burgim, njoftoi kryetarja e trupit gjykues, Suzana Kelmendi.

Ajo tha në dënim, do të llogaritet edhe koha që Kelmendi ka kaluar në paraburgim.

“Koha e kaluar në privim lirie nga data 13 maj 2013 deri më 27 qershor 2017, si dhe nga data 1 shkurt 2018 deri më 24 korrik 2018, do të llogaritet në shqiptimin e dënimit”, tha Çerkini.

Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit.

Më 2018, Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtor Kelmendin për posedim të paautorizuar të narkotikëve me qëllim të shpërndarjes së tyre dhe e dënoi e 6 vjet burgim. Në pikat e tjera të aktakuzës, që përfshinin akuza për krim të organizuar dhe vrasjen e Ramiz Delaliqit – shtetas i Bosnjës – Kelmendi u shpall i pafajshëm.

Megjithatë, po atë vit, Gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim pikën për të cilën Kelmendi u shpall fajtor.

Kelmendi, i lindur në Pejë, është shtetas i Bosnjë e Hercegovinës dhe fillimisht ishte arrestuar më 2013 nga Policia e Kosovës, bazuar në një urdhërarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet boshnjake.

Më 2012, Departamenti amerikan i Thesarit identifikoi Kelmendin nën Aktin për bosët e narkotikëve të jashtëm si një trafikant i lëndëve narkotike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)