04 Qershor 2023

Kryeministri Kurti vizitoi kontingjentin e ushtarëve të FSK-së në Iowa

Iowa, 13 maj - Gjatë qëndrimit të tij në shtetin e Iowa-s të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, vizitoi kontingjentin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po zhvillojnë trajnime atje së bashku me ushtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s.

Aty u takua me ushtarët Lulëzim Statovci, Fidan Nishevci, Arianitë Prushi dhe Malsor Haxhiu.

Duke theksuar se Garda Kombëtare e Iowa-s ka qenë dhe vazhdon të jetë kyçe në ngritjen profesionale të FSK-së dhe në përgatitjen profesionale drejt arritjes së standardeve të NATO-s, kryeministri Kurti vlerësoi edhe bashkëpunimin e vitit të kaluar, kur së bashku me trupat amerikane të Gardës Kombëtare të Iowa-s, FSK realizoi misionin e parë dhe historik të zbarkimit në shtetin e Kuvajtit.

Kryeministri Kurti u shprehu mirënjohje ushtarëve tonë për krenarinë që na e sjellin me përkushtimin e tyre për t’i shërbyer vendit.

Ai tha se angazhimi i përditshëm në trajnime për të avancuar aftësitë dhe shkathtësisë e tyre dhe forcës sonë është jetik në përkushtimin e Republikës së Kosovës për stabilitet dhe siguri në rajon.

Nëpërmjet rritjes së buxhetit për mbrojtje për 52%, ai tha se Qeveria po dëshmon synimin e saj që duke ngritur kapacitetet profesionale të FSK-së të kemi një forcë që është e aftë të përmbushë detyrat e veta kushtetuese për të mbrojtur vendin, por edhe të bashkëpunojë me partnerë e aleatë në ruajtje të paqes në rajon e botë.

Në këtë vizitë ai po ashtu falënderoi pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s për mbështetjen e tyre për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për partneritetin e ngushtë me Qeverinë e Republikës së Kosovës.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 qershor 2023 - Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë te veçantë në të cilën do të debatohet për situatën në veri të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Qendra për karrierë dhe alumni e Universitetit të Prizrenit organizon Panairin e Punës dhe Karrierës. (Galeria Shopping Mall, ora 10:00)

 - Organizohet përurimi i bustit të heroit Adem Ukëhaxhaj. (Fshati Carrabreg, pranë Ambulantes  ora 10:30)

- Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut në bashkëpunim me Komunën e Hanit të Elezit dhe Bashkësinë Islame të Hanit të Elezit, organizojnë aktivitetin e dhurimit të gjakut. (Qendra e Kulturës "Imri Curri" në Han të Elezit, ora 11:00)

- Organizata Plus Kult organizon promovimin e krijimtarisë letrare të poetit Ahmet Pllana, në shenjë të 50 Vjetorit të krijimtarisë. (Salla e Plus Kult në Shtëpinë e Kulturës në Fushë Kosovë, ora 11:00)

- Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në sallën e Asamblesë Komunale organizohet Akademi Përkujtimore kushtuar atdhetarit, Adem Ukëhaxhaj. (Asamblea Komunale e Pejës, ora 14:00)

- Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizon promovimin e antologjisë poetike "Girl of Monday",  e cila vjen në tri gjuhë: shqip, holandisht dhe anglisht. (Objekti i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ora 18:00)