Situata me COVID-19 në Gjermani është më e rënda që nga fillimi i pandemisë
Berlin, 2 dhjetor - Situata me COVID-19 në Gjermani është më e rënda që nga fillimi i pandemisë vitin e kaluar, paralajmëroi sot shoqata DIVI e vendit për mjekësinë urgjente.
Nëse shifrat vazhdojnë të rriten me këtë intensitet, Gjermania do të shohë më shumë se 6.000 pacientë me koronavirus në repartin e kujdesit intensiv në dy javët e ardhshme para festës së Krishtlindjes, thuhet në deklaratën e DIVI-t.
Mjekët e kujdesit intensiv u kërkuan autoriteteve që të zbatojnë me shpejtësi masa më të ashpra për të reduktuar kontaktin fizik dhe social dhe të konsiderojnë mbyllje të përkohshme për të përmirësuar rritjen e paprecedentë të infeksioneve të reja.
Shumë spitale në rajonet më të goditura nga COVID-19 në Gjermani kanë mbetur pa shtretër në repartet e kujdesit intensiv dhe kanë shtyrë të gjitha operacionet jokritike pasi vendi po lufton me një valë të katërt të rëndë të pandemisë.
Në repartet e kujdesit intensiv janë shtruar 4.636 pacientë të sëmurë rëndë në të gjithë vendin të martën, ku 2.383 prej tyre janë në ventilatorë, sipas shoqatës DIVI.
Pavarësisht kufizimeve të reja të shpallura nga autoritetet lokale muajin e kaluar, infeksionet mbeten të larta, veçanërisht në rajonet lindore dhe jugore të vendit, përfshirë Saksoninë, Turinginë dhe Bavarinë.
Instituti Robert Koch (RKI) konfirmoi 67.186 infeksione të reja në 24 orët e fundit, nga 45.753 raste të raportuara të martën.