Rifat Latifi jep dorëheqje nga detyra e ministrit të Shëndetësisë
Prishtinë, 6 tetor - Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Kirurgu i cili u kthye nga SHBA, që ta drejtojë shëndetësinë e Kosovës, pas dhjetë muajsh të këtë detyrë, ia paraqiti dorëheqjen kryeministrit Albin Kurti.
“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, që nga sot me datën 6 tetor 2022”, shkruan Latifi në letrën e dorëheqjes.
“Bashkangjitur me këtë letër, gjeni një përmbledhje të shkurtër të të gjeturave, sfidave të ballafaquara si dhe të arriturat në këta 10 muaj të mi si ministër”.
Latifi ishte emëruar më 16 nëntor të vitit të shkuar, duke e zëvendësuar Arben Vitinë që kishte konkurruar për kryetar të Prishtinës.
Që prej emërimit në detyrë, Latifi është kritikuar për menaxhim jo të mirë të këtij sektori.
Madje, së fundi, kryeministri Kurti themeloi edhe një Komision për Shëndetësinë, të cilin e udhëheq vetë, e ku një veprim i tillë, u komentua edhe si mosbesim ndaj punës së Latifit.