OBSH paralajmëron: Djegia e karburanteve fosile po na vret
Gjenevë, 12 tetor - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje për objektiva të rinj ambiciozë në lidhje me ndryshimin e klimës, përpara Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26) në Glasgow.
“Djegia e karburanteve fosile po na vret”, paralajmëroi OBSH. “Ndryshimi i klimës është kërcënimi më i madh shëndetësor me të cilin përballet njerëzimi”, shtoi organizata.
Në 10 rekomandime, ndër të tjera, OBSH kërkoi cilësi më të mirë të jetës në qytete, përparësi për këmbësorët, çiklistët dhe përdoruesit e transportit publik, si edhe një ekonomi bujqësore të qëndrueshme.
Sipas OBSH, përmirësimet në mbrojtjen e klimës do të kishin një efekt të madh pozitiv në shëndet dhe mund të kursejnë kosto të konsiderueshme që dalin nga sëmundjet. Ajo vuri në dukje se vetëm ndotja e ajrit shkakton rreth shtatë milionë vdekje të parakohshme çdo vit, rreth 13 në minutë.
Nëse standardet e OBSH-së për ndotjen e ajrit do të respektoheshin, përfshirë një reduktim të ndjeshëm të emetimeve të gazrave serrë, që nxisin ndryshimin e klimës, mund të shmangen 80 për qind e vdekjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit.