22 Mars 2023

Ministri Peci kërkon funksionalizimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit

Prishtinë, 16 mars - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që duke u bazuar në përgjegjësitë ligjore, si dhe interesimin për funksionalitet të plotë karshi mandatit dhe përgjegjësive që ka AUV, të merren masa rigoroze kundrejt zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, si dhe shtim të aktivitetit të inspektorëve sanitarë në teren.

Ministri i BPZhR-së, Faton Peci u shpreh se çdo qytetar i Republikës së Kosovës gëzon të drejtën ligjore që të mbrohet nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit.

“Nga sot, zero tolerancë ndaj duhanit në ambiente të mbyllura, hapësira publike, të punës, në hapësira të transportit publik dhe në çdo hapësirë tjetër që përcaktohet me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit”, tha Ministri Peci.

Ndërkaq, për mos-respektim të ligjit në fjalë si nga personat fizik dhe subjektet juridike do të pasojnë gjobat të cilat gjithashtu i përcakton ligji.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)