Kosova regjistron dy vdekje dhe 427 raste të reja me koronavirus
Prishtinë, 13 janar - Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka njoftuar se në 24 orët e fundit pas testimit të 5.881 mostrave janë regjistruar 427 raste të reja me koronavirus dhe dy vdekje.
Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar edhe se 31 persona janë shëruar derisa 2.811 persona janë ende aktivë në koronavirus.
Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, institucionet e shëndetësisë kanë regjistruar mbi 163.000 raste të infektimit.
Prej tyre 2.994 persona kanë vdekur. Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në mars të vitit të kaluar.
Prej atëherë janë dhënë mbi 1.7 milion doza të vaksinës. Qytetarët në Kosovë mund të marrin vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Doza përforcuese e vaksinës mund të merret pas tre muajve të marrjes së dozës së dytë.