Austria vendos rreth 2 milionë njerëz të pavaksinuar në izolim
Vjenë, 15 nëntor - Austria vendos rreth 2 milionë njerëz të pavaksinuar në izolim duke filluar nga sot mes niveleve rekord të infeksionit dhe presionit në rritje nga ana e spitaleve.
"Nuk është një vendim i lehtë, por është i nevojshëm", tha kancelari Alexander Schallenberg.
Njerëzit e pavaksinuar do të mund të largohen nga shtëpia vetëm për një numër të kufizuar arsyesh, si puna, ose blerja e ushqimit.
Rreth 65 për qind e popullsisë së Austrisë është plotësisht e vaksinuar, një nga normat më të ulëta në Europën Perëndimore.
Ndërkohë shkalla e infeksionit shtatëditor është më shumë se 800 raste për 100,000 njerëz, një nga më të lartat në Europë.
Në përgjithësi, Europa është bërë sërish rajoni më i prekur nga pandemia dhe disa vende po vendosin kufizime dhe paralajmërojnë për shtim të rasteve.
Të pavaksinuarve tashmë u ndalohej të vizitonin restorante, parukeri dhe kinema, por tani do t'u thuhet të qëndrojnë në shtëpi.
“Në realitet ne i kemi thënë një të tretës së popullsisë: nuk do të largoheni më nga apartamenti juaj pa arsye të forta”, tha zoti Schallenberg.
"Ky është një reduktim masiv i kontakteve midis të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve", vijoi ai.
Qeveria thotë se policia do të kryejë kontrolle në vende dhe në hapësirat publike për të përcaktuar statusin e vaksinimit të qytetarëve.