Vetëvendosje: Dialog me serbët e Kosovës e jo me Serbinë
Prishtinë, 11 gusht - Lëvizja Vetëvendosje, thotë se Ramush Haradinaj ka propozuar që ky subjekt ta udhëheqë dialogun me Serbinë, shkruan sot Koha Ditore.
E për Vetëvendosjen ka pak rëndësi se cili individ brenda organizatës së tyre do ta udhëhiqte procesin e dialogut me Serbinë, sa ka rëndësi që procesi të udhëhiqet nga ky subjekt dhe me kushtet e Kosovës, e jo me kushte të Serbisë.
Dardan Molliqaj, i përfshirë në negociatat për krijimin e Qeverisë së ardhshme nga blloku opozitar, ka thënë se ka nevojë për dialog me serbët e Kosovës, pasi dialogu me Beogradin as nuk i integroi serbët e Kosovës, as nuk e bashkoi Mitrovicën.
Lëvizja Vetëvendosje synon ta transformojë dialogun e mbyllur diplomatik në Bruksel në dialog të hapur demokratik me serbët e Kosovës, duke i parë ata si qytetarë të Republikës së Kosovës.
Molliqaj, ka deklaruar se Kosova nuk ka nevojë të ketë dialog për pajtim, por dialog për zhvillim, sepse pikërisht zhvillimi ekonomik e shoqëror është integrues.
Por, dialogu nuk është kushti kryesor i Vetëvendosjes .
/Koha Ditore/