Sot do të betohen kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit
Mitrovicë, 25 maj - Sot do të mbahet ceremonia e betimit për kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës, Zveçan, Zubin Potoku dhe Leposaviq.
Kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, fituan mandatet e tyre në procesin zgjedhor të 23 prillit të këtij viti, i cili u zhvillua rreth pesë muaj pasi përfaqësuesit politik të serbëve dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës mes mospajtimeve mbi një vendim të qeverisë në Prishtinë për konvertim të targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Kosovës.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zgjedhjet e 23 prillit kanë hedhur votën një mijë e 567 qytetarë apo 3.47 për qind e rreth 45 mijë votuesve të regjistruar.
Kandidatët e lëvizjes Vetëvendosje fituan në Leposaviq dhe Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata të Partisë Demokratike të Kosovës në Zveçan dhe Zubin Potok.