01 Prill 2023

Presidentja Osmani takoi Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq

Podgoricë, 7 shkurt - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi është pritur në takim nga Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Në takim me Kryeministrin Abazoviq, Presidentja Osmani vlerësoi lart fqinjësinë me Malin e Zi, për të cilën kontribuojnë komuniteti shqiptar në këtë shtet dhe ai malazez në Kosovë.

Presidentja Osmani tha se për Kosovën, Mali i Zi është një partner, te i cili ka gjetur mbështetje në vazhdimësi dhe shfaqi shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tej.

Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se forcimi i vazhdueshëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për mbështetjen e shteteve mike si Mali i Zi.

Presidentja Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është me rëndësi për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, ndaj ritheksoi rëndësinë e mbështetjes nga Mali i Zi.

Me Kryeministrin Abazoviq, Presidentja Osmani diskutoi edhe për zhvillimet aktuale në rajon me ç`rast vuri theks të veçantë në tendencat e Rusisë dhe Serbisë për destabilizim të Kosovës, Malit të Zi dhe rajonit.

Presidentja Osmani ka kërkuar qëndrim të unifikuar kundrejt tendencave për destabilizim dhe ka theksuar se synim i përhershëm i Kosovës është paqja dhe stabiliteti i vendit dhe rajonit.

Në takim u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 prill 2023

- Federata e Pingpongut do të organizoj Kampionatin Individual të Kosovës për U19. (SHMU Tefik Çanga në Ferizaj, ora 10:00)

- Dy ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha do të mbajnë Konferencë për Media. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Mbahet hapja zyrtare e ekspozites “Some Call Us Balkans” i cili mirëpret 8 artistë të rinjë bashkëkohorë veprat e të cilëve eksplorojnë Ballkanin, mitet dhe konceptet e gabuara për të, përdorimet e hapsirës përtej stereotipeve, vizionimin e ekosistemeve të reja, mënyrat e banimit dhe të të qenurit bashkë mbi një bazë të përbashkët. (Termokiss, ora 16:00)

- Gara e Kompozitorëve të Ballkanit do ta hap edicionin e 3-të me programin e koncerteve. (Atelia e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ora 20:00)