29 Mars 2023

Mbahet takimi i dytë i Komitetit Drejtues të UNSDCF për periudhën 2021-2025

Prishtinë, 30 maj - Angazhimi i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe UNKT për zhvillim të qëndrueshëm, ishin në qendër të takimit të dytë të Komitetit Drejtues të Kornizës së Bashkëpunimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm (UNSDCF), për periudhën 2021-2025.

Vizioni i Kosovës për vitin 2030 si objektiv primar, vendos zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, cilësinë e lartë të jetës dhe institucionet efektive, tha kryeministri Kurti në hapje të takimit. Si element thelbësor i këtij vizioni është anëtarësimi në organizatat euro-atlantike, andaj arritja e vizionit për zhvillim të qëndrueshëm e çon përpara procesin e Kosovës për anëtarësim në familjen e Bashkimit Evropian, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se Kosova përmes këtij vizioni synon të mbajë hapin me zhvillimet teknologjike dhe mundësitë që ofron digjitalizimi, të kontribuojë si aktor rajonal dhe më gjerë në agjendën e gjelbër, të sigurojë përfshirje për të gjithë qytetarët e saj dhe të marrë parasysh politikat e migrimit, e në veçanti t’i avancojë marrëdhëniet me diasporën, si pjesë integrale e zhvillimit.

Krahas falënderimit për mbështetjen e agjencive të OKB-së në procesin e hartimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, në takim u theksua rëndësia e vazhdimit me të njëjtën frymë bashkëpunimi, për të arritur vizionin e përbashkët për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ky ishte takimi i dytë i Komitetit Drejtues, organi më i lartë drejtues i UNSDCF 2021-2025, kornizë kjo që artikulon bashkëpunimin e sistemit zhvillimor të OKB-së me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, për arritjen e progresit lidhur me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, në përputhje me prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)