LVV nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës
Washington, 20 korrik - Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! në Kuvendin Komunal njofton qytetarët e Prishtinës dhe opinion e gjërë se nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, e paraparë të mbahet nesër me datë 21.07.2023 në ora 15:00.
"Jemi të bindur se kjo seancë është thirrur në kundërshtim të plotë me dispozitat procedurale dhe me shkelje flagrante të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale si dhe Statutit të Komunës së Prishtinës", thekson LVV.
LVV me tej konsideron se Kuvendi Komunal i Prishtinës ka një kryesues legjitim dhe se emërimi i një kryesuesi të ri, që është pika e vetme e rendit të ditës së seancës së thirrur, pa e shkarkuar kryesuesin aktual është shkelje ligjore dhe nonsens i llojit të vet.
E gjithë kjo katrahurë ligjore e administrative që po mbretëron në Komunën e Prishtinës është si pasojë e veprimeve të jashtligjshme që janë ndërmarrë gjatë mujave të fundit nga Kryetari Rama dhe administrata e tij. Vlerësojmë se e gjithë kjo po bëhet për të larguar vemëndjen e qytetarëve nga keqqeverisja dhe gjendja e mjerueshme në të cilën ndodhet qyteti.
"Ne, si asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje!, zotohemi se do ta vazhdojmë betejën tonë për zbatimin e ligjshmërisë, duke kërkuar që të dalin para përgjegjësisë të gjithë ata të cilët nuk i respektojnë normat dhe procedurat administrative", thuhet në komunikatën e LVV.
Në Komunën e Prishtinës nuk do të lejojmë anarki. Logjika e tillë e veprimit nuk do të kalon në Prishtinë!