22 Dhjetor 2024

Liberalizimi i vizave në rend dite në BE më 13 tetor

Bruksel, 26 shtator – Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor, konfirmojnë burimet diplomatike të BE-së në Bruksel.

Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.

Radio Evropa e Lirë ka siguruar qasjen në këtë dokument dhe aty shprehet qartë dëshira e Çekisë që të gjitha vendet anëtare të BE-së të arrijnë konsensus të brendshëm për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë letër, Çekia thirret edhe në, siç thuhet, arsyet e politikës së jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke rikujtuar se edhe Komisioni Evropian ka konfirmuar dhe pritet të përsërisë se Kosova i ka përmbushur kushtet.

“Pasi Presidenca Çeke mendon se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën janë bindëse, ajo shpreson se të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të arrijnë pajtim të brendshëm politik për këtë çështje”, thuhet në këtë dokument.

“Qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme. Rajoni ka nevojë për sinjal të qartë se procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe se BE-ja është e gatshme t’i shpërblejë përpjekjet për reforma që bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në këtë letër.

Presidenca Çeke përmend aty pikërisht liberalizimin e vizave për Kosovën si shembull se si BE-ja mund të rrisë besueshmërinë në rajon.

“Liberalizimi i vizave është element kyç në procesin e integrimeve të Kosovës në BE, që është shumë i vonuar tashmë. Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor (dhe një prej pak vendeve në Evropë) që akoma nuk e ka siguruar regjimin pa viza me BE-në. Ky fakt ka një ndikim të konsiderueshëm negativ në atmosferën në vend dhe në qëndrimet e qytetarëve të Kosovës rreth korrektësisë dhe kredibilitetit të BE-së”, thuhet në letër.

Aty, po ashtu, rikujtohet rrugëtimi i Kosovës drejt përmbushjes së kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj.

“Komisioni Evropian ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën në vitin 2012, ndërsa në korrik të vitit 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Parlamenti Evropian, në vazhdimësi, ka konfirmuar se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në letër.

Presidenca Çeke e BE-së thekson se pret që Komisioni Evropian të konfirmojë mendimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Presidenca Çeke është në kontakt të ngushtë me Komisionin Evropian. Jemi pajtuar për një përditësim teknik të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave që do të mbulonte periudhën nga raporti i publikuar në vitin 2018. Ky përditësim teknik supozohet se do t’i paraqitet grupit punues për vizat në muajin tetor”, thuhet po ashtu letër. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)