29 Mars 2023

Kurti priti në takim ambasadorin jorezident të Australisë në Kosovë

Prishtinë, 2 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim të ngarkuarin me detyrë të ambasadorit të Australisë në Zagreb, Adrea Biggi, njëherësh ambasador jorezident i Australisë në Kosovë.

Takimi filloi me falënderimin e kryeministrit Kurti për mbështetjen e hershme dhe të vazhdueshme të Australisë ndaj popullit dhe shtetit tonë. Australia është nga vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dy ditë pas shpalljes së saj, dhe një prej vendeve të para me të cilat Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike, tre muaj pas shpalljes shtet i pavarur dhe sovran. Australia po ashtu ishte shtëpi e rreth 4.000 refugjatëve nga Kosova gjatë vitit 1999, dhe sot është mbështetëse e shtetit të Kosovës në synimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Përmirësimin e indikatorëve ekonomik dhe të atyre demokratik, kryeministri Kurti ia atribuoi stabilitetit institucional, qeverisjes demokratike dhe platformës anti-korrupsion. Përkrah rritjes ekonomike prej 10.53%, gjatë këtij viti të qeverisjes, Kosova është renditur në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, është ngritur për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit sipas Transparency International dhe për 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave, sipas Reporterëve pa Kufij.

Lidhur me bashkëpunimin rajonal, kryeministri Kurti tha se Kosova është treguar e përkushtuar, konstruktive në qasje dhe kreative në propozime. Ngjashëm sikurse edhe në procesin e dialogut me Serbinë, për të cilin theksoi se duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes duhet ta ketë njohjen e ndërsjellë.

Në anën tjetër, ambasadori Biggi e falënderoi kryeministrin Kurti për mirëpritjen, për bashkëpunimin e mirë dhe për urimin që i ka bërë kryeministrit të sapo zgjedhur të Australisë, Anthony Albanese. Ai tha se Australia vazhdon të ketë gatishmëri për të ndihmuar Republikën e Kosovës dhe për të pasur bashkëpunim të ngushtë në fusha me interes të përbashkët.


 


 


  

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)