29 Maj 2023

Kryesuesi i OSBE-së Bujar Osmani viziton Kosovën

Prishtinë, 26 maj - Kryesuesi i radhës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, viziton sot Republikën e Kosovës.

Kryesuesi Osmani do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministrin Albin Kurti, si dhe Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz.

Së bashku me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin Michael Davenport, ai do t’u drejtohet pjesëmarrësve të Akademisë së të Rinjve të OSBE-së dhe do të vizitojë Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri për t’u takuar me gjeneratën e re të kadetëve policorë nga të gjitha komunitetet.

Kryesuesi Osmani pastaj do të vazhdojë për në Mitrovicë për të marrë pjesë në diskutimin e organizuar me organizatat e shoqërisë civile që punojnë me të rinjtë dhe fëmijët nga komunitetet e cenueshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)