Kryeministri Kurti merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris
Prishtinë, 10 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Paris, Francë, ku do të merr pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron.
Kryeministri Kurti do të merr pjesë në diskutimet në panel të këtij forumi prestigjioz, në pritjen e organizuar nga Presidenti Macron, si dhe do të ketë takime me përfaqësues të lartë shtetërorë.
Ai para nisjes përmes një video mesazhi, bëri të ditur se në Paris mund të ketë një takim trepalësh me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili po ashtu është i ftuar nga presidenti francez.
"Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trelateral me presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim prej gjashtë anëtarësh nga kryeministria”, tha Kurti duke ripërsëritur qëndrimin e tij se është i interesuar për marrëveshje të plotë me Serbinë që ka siç thotë "njohjen reciproke në qendër”.
"I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhepropozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne”, tha Kurti. Detaje të planit franko-gjerman kryeministri i Kosovës nuk ka bërë. Por presidenti i Serbisë Vuçiq, ka thënë se "Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, në këmbim të integrimit më të shpejtë të saj në BE”.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, para disa ditësh tha se ai i ka marrë përgjigjet nga Kosova dhe Serbia për planin franko-gjerman dhe se ato janë duke u shqyrtuar. Por nuk dha më shumë hollësi rreth kësaj nisme. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të shmangin veprimet që mund të çojnë në përplasje, ndërsa shprehën zhgënjimin që qeveria e Kosovës nuk përfilli kërkesën për një shtyrje dhjetë muajshe të afatit për konvertimin e targave të makinave.