29 Maj 2023

Kosova dhe Britania forcojnë partneritetin në fushln e mbrojtjes dhe sigurisë

Prishtinë, 23 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ministrin e Shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona.

Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrim në institucionet euroatlantike, me ç’rast ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen përgjatë viteve, duke theksuar se Kosova tanimë ka dëshmuar se është partner jo vetëm kredibil dhe i besueshëm, por i përkushtuar për të bashkëpunuar me aleatë për të kontribuar për paqe afatgjate në vend, rajon dhe kudo në botë.

Tutje, Presidentja Osmani vuri theksin në vazhdimin e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Forcën tonë të Sigurisë, e cila po forcohet me standardet më të larta të NATO-s, përmes trajnimeve të ndryshme në rritje të kapaciteteve të përbashkëta.

Në këtë frymë, Presidentja potencoi edhe gatishmërinë e Kosovës që t’i bashkohet forcave britanike në misione paqeruajtëse në vende të tjera të botës.

Presidentja Osmani ka përmendur edhe nevojën e forcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë që të ecet përpara me hyrjen e Republikës sonë në Programin e Partneritetit për Paqe, e deri tek anëtarësimi në NATO.

Presidentja Osmani dhe Ministri i Shtetit Heappey, shprehën vullnetin e përbashkët për vazhdim të bashkëpunimit të shkëlqyer në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe forcimin e mëtutjeshëm të partneritetit në mes të dy vendeve, në frymë të vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)