Konjufca: Gjenocidi është trashëgimia e vetme e Serbisë në Kosovë
Prishtinë, 22 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, sot, në 24-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, bëri homazhe dhe vendosi lule pranë lapidarit të ngritur në kujtim të të rënëve në këtë masakër, të kryer nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë.
Në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve, në mesin e tyre edhe të mbijetuar nga kjo masakër, kryetari Konjufca theksoi se masakra në burgun e Dubravës kujtohet si njëra ndër aktet më të trishtueshme e më barbare, në të cilën forcat gjenocidale serbe mizorisht privuan nga jeta 117 të burgosur.
Kryetari Konjufca me këtë rast u shpreh se trashëgimia e vetme e Serbisë në Kosovë është gjenocidi mbi popullin shqiptar të Kosovës, e këtë më së miri e tregojnë të mbijetuarit e këtij gjenocidi të cilët e përjetuan nga afër tmerrin e Dubravës.
“Këtu 1000 të burgosur ishin në dorën e Serbisë dhe ata u grumbulluan dhe më pas u vranë e u masakruan nga vetë ata që kinse pretendonin siguri e drejtësi”, tha ndër të tjera kryetari Konjufca.
Referuar drejtësisë ndërkombëtare, kryetari Konjufca u shpreh se kur është puna për UÇK-në po ka drejtësi, kurse për masakrën e Burgut të Dubravës nuk është shpallur asnjë i dënuar.
“Ndonëse kanë kaluar 24 vjet nga masakra e Dubravës familjarët e tyre edhe sot e kësaj dite jetojnë me peshën e rëndë të padrejtësisë. Kur është puna për UÇK-në po ka drejtësi, ndërsa për forcat paramilitare serbe, me përgjegjësi të qartë për gjithë fushatën e gjenocidit që e kanë bërë në Kosovë, nuk po ka drejtësi”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.â