29 Maj 2023

Komisioneri Varhelyi viziton sot Kosovën

Prishtinë, 25 maj - Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, do të vizitojë Kosovën ku do të takohet me zyrtarë të qeverisë së Kosovës, përfshirë presidenten Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, si dhe me opozitën, liderët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

BE ka thënë së këto takime do të jenë një mundësi për të rishikuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit si dhe reformat kyçe, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit të energjisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioneri Várhelyi dhe Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, do të lançojnë Programin për Çështjet e Brendshme BE-Kosovë, me qëllim që të harmonizojnë më tej veprimet e Kosovës në zbatimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar me standardet e BE-së.

Ky program i financuar nga BE-ja prej 6.5 milionë euro do të zbatohet në një periudhë trevjeçare me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Kosova dhe BE-ja nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) e cila është në fuqi që nga 1 prill 2016.

Liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Komisioni do të raportoj sërish për progresin e Kosovës në rrugën e saj evropiane në Paketën e zgjerimit 2023, e cila do të dalë në vjeshtë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)