29 Prill 2024

Jahjaga: Kosova gjithmonë do ta kujtojë udhëheqësin tonë

Prishtinë, 21 janar - Në përvjetorin e gjashtë të vdekjes së Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot familjen Rugova, si dhe bëri homazhe para varrit të Presidentit Rugova në lagjen Velania.

Në një bashkëbisedim me familjen, Presidentja Jahjaga tha se vlerat e Presidentit Rugova kanë qenë dhe do të jenë edhe në të ardhmen një udhërrëfyes i mirë për të gjitha gjeneratat e vendit tonë.

Këto vlera, tha ajo, janë një udhërrëfyes i mirë për të gjithë ne, që të punojmë në të mirë dhe në interes të vendin dhe të popullit tonë. Duke nderuar veprën e Presidentit të Parë, Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova, nderojmë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë.

"Ndjejmë të gjithë dhimbje që Presidenti dr. Ibrahim Rugova nuk gjendet fizikisht në mesin tonë sepse ai gjithmonë ka qenë një njeri që ka rrezatuar mençuri, mirësi dhe optimizëm", ka theksuar Jahjaga.

Ajo ka thënë po ashtu se Kosova dhe populli i saj gjithmonë do ta kujtojë vizionarin dhe udhëheqësin tonë, i cili, gjithnjë, me durimin dhe me përkushtimin e tij dhe me rrugën e proceseve demokratike për vendin e popullin tonë, trasoi rrugën për liri, demokraci dhe pavarësi.

"Presidenti Rugova e trasoi rrugën e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Po ashtu, e trasoi rrugën që Kosova të jetë vend i anëtar i BE dhe i NATO-s, me një miqësi të përhershme me SHBA-të", tha Presidentja Jahjaga gjatë vizitës në familjen Rugova.

Pas vizitës në familje, Presidentja Jahjaga bëri homazhe para varrit të Presidentit Rugova, në lagjen Velania në Prishtinë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)