22 Dhjetor 2024

Gjermania vendos të ringjallë Procesin e Berlinit

Berlin, 4 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur sot në takim nga kancelari i Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz.

Fillimisht, dy liderët janë takuar vetëm, pastaj kanë vijuar takimin me dy delegacionet.

Duke e falënderuar për pritjen, kryeministri Kurti theksoi miqësinë dhe partneritetin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë dhe vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe barazisë.  


U diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes të dy shteteve dhe popullit të Kosovës dhe Gjermanisë. Kryeministri Kurti veçoi mërgatën e madhe të Kosovës që jeton në Gjermani dhe interesimin për të investuar në Kosovë.
 
Ai e njoftoi Kancelarin për progresin e arritur në një vit qeverisje në Kosovë, duke potencuar rezultatet në zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin në të gjithë indikatorët e demokracisë. Përmendi edhe përpjekjet e mëdha për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe suksesin në luftimin e kontrabandës, krimit dhe korrupsionit.

Kryeministri Kurti e ftoi Kancelarin Scholz që të vijë në Kosovë me një delegacion të gjerë investitorësh, për të parë mundësitë e investimeve në vendin tonë.

Kosova është tregim suksesi, prandaj edhe kemi nevojë për ndihmën e Gjermanisë si shtet i rëndësishëm brenda Bashkimit Evropian dhe akter i rëndësishëm në botë, tha kryeministri Kurti.   

Nga Kancelari kërkoi që Gjermania të shtyjë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai theksoi se pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga sa më shumë vende, duke përfshirë edhe 5 vendet nga Bashkimi Evropian.

Duke biseduar për bashkëpunimin rajonal, Kryeministri tha se Qeveria e mbështetë Procesin e Berlinit dhe e mirëpret përkushtimin e Kancelarit për të rifilluar këtë proces me një dinamikë të re.   

Kancelari Scholz tha se Gjermania ka vendosur të ringjallë Procesin e Berlinit. Ai bëri të ditur se në pjesën e dytë të vitit do të organizojnë një konferencë për, siç u shpreh ai, që të lëvizim, të ecim tutje.

Që ne të bëjmë gjithçka që pritjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor të kthehen në realitet. Ne kemi përgjegjësi që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, tha Kancelari Scholz.

U bisedua edhe rreth invazionit dhe agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë. Kryeministri tregoi për sanksionet e Republikës së Kosovës kundër Rusisë, në linjë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe për solidarizimin me popullin dhe shtetin e Ukrainës.   

Lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri e njoftoi Kancelarin me qasjen pro-aktive dhe konstruktive të Kosovës, duke sjellë propozime në linjë me vlerat e Bashkimit Evropian.   

Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje-reciproke, pra një proces i cili vazhdimisht sjell avancim deri në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura, theksoi Kryeministri Kurti.

Në delegacion me Kryeministrin Kurti ishin ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, këshilltarët politikë të kryeministrit Jeton Zulfaj dhe Fëllanza Podrimja, si dhe zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi.  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)