Fillon mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë
Prishtinë, 27 nëntor - Nën intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe himnit të Kosovës, ka filluar në Tiranë punimet mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, organizuar për nder të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë.
Kjo njëherësh është mbledhja e parë që të dy parlamentet mbajnë së bashku, duke shënuar kështu nivelin më të lartë të bashkëpunimit në historinë e parlamentarizmit në të dyja shtetet.
Me një fjalë mirëseardhjeje deputetëve të të dyja parlamenteve dhe të ftuarve të tjerë po u drejtohet kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, për të vazhduar me fjalimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Mbledhja do të vijojë me fjalimin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe fjalimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Nga një fjalë përshëndetëse do të mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës: Mimoza Kusari Lila nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Balla nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Abelard Tahiri nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, kryetar i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Enkelejd Alibeaj, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Mesila Dodka, kryetare e Grupit Parlamentar për Demokraci dhe Ndryshim, Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Mediu, kryetar i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim.
Në shënim të këtij përvjetori, do të mbahen edhe aktivitete të tjera kulturore. â